Rruga per ne Turtle Fest ka nisur njezet e kusur vite me pare

Isha 11 vjeç kur për herë të parë, i mbajtur përdore nga ime motër, u gjenda në një koncert te piramida ku merrnin pjesë grupe të ndryshme nga shkollat e mesme të tiranës. Mbaj mend shumë mirë energjinë dhe dëshirën e të gjithë të pranishmëve, qe në ato rrethana më dukeshin tepër të mëdhenj e sot kuptoj që ishin thjesht adoleshentë, adoleshentë që fatkeqësisht nuk i shoh më. Gjithashtu mbaj mend dhe që u tërhoqa veçanërisht nga një grup dhe një tingull. “The Burp”, një grup Punk! Këngëtari krejtësisht i stonuar i të cilëve më vonë do të ishte një mik, mentor dhe koleg në rrugëtimin tim me muzikën. Po i marrë për dore në atë kohë kam pasur mundësinë të përjetoj dhe të kem kujtime nga një skenë absurde, për nga oraret dhe përzierja muzikore, e megjithatë tepër dinamike diskotekash. Kjo përvojë më bëri që në vazhdim të isha kurioz e më pas të isha pjesë e kësaj skene të Tiranës, pjesë e këtyre fytyrave të etiketuar rëndom në zhargonin e kohës si “snoba” ose “skorpionsa”.       

Duke u rritur dhe duke u bërë gjithnjë e më shumë pjesë e këtij realiteti zbulova dhe përjetova situata dhe njerëz unik të lidhur nga një emërues i përbashkët, dashuria për muzikën, të bukurën dhe dëshira për ti ndarë këto momente me këtë komunitet. Është pikërisht në këto situata që kam gjetur Tiranën më idealiste, më progresive, kokëforte, të pamposhtur e të vërtetë.

Këtë masë njerëzish që nuk u dekurajua kurrë nga rrethanat për të krijuar realitetin e vet, për të ndjekur pasionin dhe nevojën për të qenë ndryshe.

(Foto nga TurtleFest 2)

Ndërtimi i këtij mozaiku, shpesh ngritur mbi gërmadha ëndrrash dhe shpresash të abortuara, në një kontekst urban e kulturor dekadent dhe demode, kohë mbas kohe ka qenë më i shpejtë ose më i avashtë por kurrë s’ka ndalur. Kur Turtle Fest filloi, dhe unë u ftova të isha pjesë në të, ishte një periudhë gati përgjumjeje për skenën. Ishte një sipërmarrje modeste, një festë kampi ndezur nga dëshira e një brezi të ri për tu rilidhur me këtë traditë dhe e udhëhequr nga të njëjtat dëshira dhe parime. Por ishte pikërisht mbështetja që gjeti ndër Dj-ët veteran të skenës si Ad Disha, Cool, Tatu, Mimi, Rezart Cenaj, Besa Mati, dhe Likatek dhe besimi që ata treguan në këtë sipërmarrje që e shndërruan atë në festivalin më të madh të muzikës alternative në vend.

Në 6,7 dhe 8 korrik në Drimadh do të kemi edicionin e shtatë të Turtle Fest, por rrugëtimi për aty ka filluar njëzet e kusur vite më parë…

Nga festat te universiteti e disko studenti te kompilacionet garage të Florian Cangës (Tirana by Night), te festat e Tirana Underground, Radio Oxygen, netët e kaluara para piramidës, festat e pishinave, Charlsi i vjetër, Mjaft Fest, LK47, viti i ri 2004 te magazina e ish artizanale Migjeni, festat mbrapa Galerisë së Arteve, koncerti epik i NR në kinostudio te Danza e Tirana Ekspres (e sa e sa vende e ndodhi të papërmendura) kryeqyteti ynë ka një historik të pasur të një kundërkulture muzikore, në kontrast të thellë me tendencat masive radio-televizive. Në këtë kontekst Turtle Fest nuk kërkon të jetë thjesht një festival veror por një instrument nëpërmjet të cilit kjo trashëgimi të lëvrohet e pasurohet më tej. Turtle Fest kërkon të jetë një pikë takimi për “skorpionsa” të vjetër e të rinj me dëshirën më të madhe për të lënë një gjurmë në një histori që ende vazhdon të shkruhet, historia e jetëve tona.

Nga Rubin Beqo