Turtle Fest 7 publikon emrat e pare te performuesve!

 

Turtle Fest publikon emrat e parë të cilët do performojnë në edicionin e shtatë!

Prej tashmë disa ditësh Turtle Fest ka prezantuar në rrjetet sociale datat dhe moton e këtij edicioni.
Festivali më i madh artistik në Shqipëri këtë herë do vijë më pranë se kurrë, në fillim të muajit korrik, konkretisht gjatë fundjavës së 6,7 dhe 8 korrikut. Në po të njejtin lokacion, këtë herë Turtle Fest do sjellë jo vetëm në skenën tij shumë emra të njohur e të rinj dhe muzikë të larmishme, por edhe aktivitete të tjera me të cilat do na prezantojë gjatë javëve në vijim. Pikërisht, sepse sot fokusin nuk e kemi tek asgjë tjetër përveç emrave të cilët do i dëgjojmë duke performuar buzë detit të mrekullueshëm të Dhërmiut.

Ok, jeni gati? Rikthehet Dub FX!

Nuk është e tepërt të themi që DUB FX solli në qytet një ndër netët më të mira në histori, dhe ata që kanë qenë pjesë e eventit në parkingun e Sheshit Skënderbej e dinë më së miri.
Shiko DUB FX këtu…

Artisti me origjinë australiane do performojë në rrymat Dub, Hip-Hop, Drum’n’Bass duke dhuruar të njejtën energji tashmë një publiku shumë më të madh.

Qëndrojmë tek Drum’n’Bass, por këtë herë i shtojmë edhe pak ritëm jungle për ta bërë më energjike mbrëmjen, pasi në skenën e Turtle Fest 7 do ngjitet legjendari Dj Aphrodite! Jo vetëm një prej ikonave të skenës underground londineze, por një influencë në teknikën e stilit të rrymës jungle dhe Drum’n’Bass.
Shiko DJ APHRODITE këtu…

Dhe mbërrijmë tek emri i tretë, një Dj me origjinë kosovare i cili na bën gjithmonë e më shumë krenarë me arritjet e tij të një-pas-njëshme në botë. Sabb nuk është vetëm një Dj shumë shumë i mirë, por një krijues muzikor i cili sa herë merr në dorë frenat e mbrëmjes, na sjell emocione si askush tjetër.
Shiko SABB këtu…

Dhe në fund, ju sjellim “qershinë” mbi tortën e publikimit të parë zyrtar mbi artistët e Turtle Fest 7.

Qëndresa është një tjetër artiste me origjinë kosovare drejt së cilës janë kthyer sytë kohët e fundit. Me stlin e saj autentik dhe vokalin karakteristik, Qëndresa do performojë liveTurtle Fest, për herë të parë në një festival muzikor mbarëshqipëtar. Nëse jeni kuriozë rreth stilit të saj, mund ta dëgjoni menjëherë këtu dhe të kuptoni për çfarë po flasim.

Këta janë emrat e parë që Turtle Fest prezanton për publikun. Detaje të tjera rreth eventit, performuesve dhe, si gjithmonë, mundësive që vetë festivali ofron për t’jua bërë pjesëmarrjen gjithmonë e më të lehtë dhe të pëlqyeshme, do publikohen gjatë javëve në vijim.

Për momentin na mjafton të dimë që nëse Turtle Fest nis të flasë, do të thotë që vera është pranë, dhe këtë herë, do lerë më shumë se kurrë gjurmën e saj.